Ku mund ta gjesh?

Shtëpia e Flamurit

Shtëpia e Flamurit, godina ku në vitin 1916 patrioti Themistokli Gërmenji ngriti flamurin shqiptar, duke shpallur Korçën Krahinë Autonome. Me ndërrimin e sistemeve, Shtëpia e Flamurit iu nënshtrua fatit të shumë monumenteve të ngjashme, harrimit. Ndërtesa muze arriti deri në fazën e rrënimit të saj. Shtëpia e Flamurit apo e Republikës, siç njihet, u shkatërrua përfundimisht. Ishte një ngjarje që bëri jo pak bujë. Ish-zëvendësministri i Kulturës, Abaz Hado, deklaroi se shkatërrimi ishte i qëllimshëm, por ai “u dha fjalën” banorëve të Korçës se do ta rindërtonte shtëpinë muze.|” Arsyeja e shkatërrimit të kësaj ndërtese historike ka qenë lënia në harresë e saj, mungesa e investimeve për dekada. Shkatërrimi i saj erdhi gradualisht, në fillim çatia, pastaj muret, kati përdhes… deri sa arriti në shembjen e plotë. Sot ajo është rindërtuar ashtu si ka qenë më parë, në të njëjtin volum, me të njëjtat detaje. Ndërtesa e ngritur rreth viteve 1880-1885 në bulevardin kryesor të Korçës ka qenë fillimisht pronë e familjes Sugari. Me nisjen e Luftës së Parë Botërore dhe me hyrjen e trupave e ushtrive të huaja në Korçë, godina u vu në shërbim të ushtrisë franceze. E gjendur mes ushtrive, franceze e greke, shqiptarët vendosën ta administronin vetë Korçën. Ishte një nismë që u kurorëzua në dhjetor të vitit 1916 nga Themistokli Gërmenji. Dy vjet më pas, godina dhe e gjithë Korça ra sërish në duar të francezëve. Në 1920-n, me largimin e ushtrive të huaja, edhe Korça iu bashkua qeverisë së Tiranës dhe në ballkonin e së njëjtës ndërtesë u rinorit flamuri shqiptar. Pas vitit 1944, Shtëpia e Flamurit u shpall “Monument kulture” dhe në ambientet e saj u vendos Muzeu Historik i Korçës.

1 Koment

  1. Eva Cenolli

    Ky vend nuk është thjesht një ndërtesë, por një kujtesë e rrugëtimit tonë si komb, e sakrificave dhe e lavdisë që na bashkon. Le të ruajmë dhe të vlerësojmë këtë trashëgimi, duke u frymëzuar nga të kaluarat tona për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *