Ku mund ta gjesh?

Çezmat e Korçës
Çezmat e Korçës janë një vlerë shumëvjeçare e çmuar që lidhet me një traditë dhe kulturë të hershme të qytetit. Kanë qenë pikërisht bamirës të ndryshëm korçarë të cilët kanë investuar në krijimin dhe mirëmbajtjen e dhjetëra çezmave në të gjithë lagjet e qytetit të Korçës. Krahas tyre, pjesë e historisë së tyre kanë qenë mjeshtra të gdhendjes së gurit dhe të mermerit, duke i dhënë qytetit një tjetër imazh. Qyteti i Korçës ka patur më tepër se 13 çezma publike që janë të njohura dhe dokumentuara dy shekuj më parë, në formën e çezmave publike, të cilat kryesisht ishin të ndërtuara në gur. Ato kishin dalë nga duart e mjeshtrave të ndryshëm gurgdhendës ose gdhendës të mermerit, pasi ato, përveçse si burim i parë i jetës, siç është uji, shërbenin edhe si një imazh i bukur i qytetit. Të gjitha lagjet e qytetit kishin çezmën e tyre. Përveç çezmave funksiononin dhe puset, si p.sh. pusi i Gramenove, me të cilat lidheshin edhe besime a bestytni popullore. “Nëse pini ujë nga pusi i Gramenove, do të lindni fëmijë djem”- për arsye se nëna e Mihal Gramenos pati 7 djem të lindur dhe pusi ishte ngjitur me shtëpinë e saj. Një pjesë e mirë e çezmave janë ndërtuar nga bamirës të ndryshëm. Mehmet Pashë Plasa ishte i pari që vendosi të ndërtonte ujësjellësin e parë në Korçë rreth vitit 1789. Po kështu kujtojmë bamirësin Jovan Banka, i cili mundi të kanalizonte ujin që vinte nga zona e pjesës së Moravës për ta sjellë në çezmat e reja. Sipas të gjithë kronikave të kohës, përveç pjesës së çezmës, aty ishte ndërtuar edhe çatia që mbulonte pjesën ku njerëzit pinin ujë, lanin teshat apo kryenin nevojat e tyre të përditshme. Në krye të këtij ndërtimi të asaj kohe, qëndronte dhe portreti i stampuar në porcelan i personazhit që kishte bërë të mundur ndërtimin e këtyre çezmave. Të gjitha çezmat mbanin emrin e atij që i kishte ndërtuar apo vendit ku ishin ndërtuar. Çezmat mbeten një element identifikues i Korçës, që përpos funksionit parësor të tyre ishin një tregues i rëndësishëm i higjienës dhe pastërtisë së qytetit. Një pjesë e këtyre çezmave sot kanë mbetur vetëm si pika orientimi, duke humbur funksionin e tyre. Korçarët sot dhe udhëtarët dje, orientoheshin nëpërmjet vendndo-dhjes së çezmave, duke u përcaktuar si emërvende përkatësht: Çezma e Pazarit, Çezma e Kaliroit, Çezma e Shetros, Çezma e Papallambros, Çezma e Amzës, Çezma e Arave, Çezma e Mitropolisë, Çezma e Radanecit dhe çezma të tjera.


