Ku mund ta gjesh?

Kori “Lira”
Nëse ecni rrugicave të Korçës, do të ndjeni shpirtin, zemrën, por do të dëgjoni edhe meloditë e këngët e grupit më karakteristik të Shqipërisë, atë që të gjithë e njohim si kori “Lira”, të kënduara nga të gjithë, të vjetër e të rinj. Grupi me një moshë mbi 100 vjeçare ka bërë historinë e tij kalldrëmeve të këtij qyteti, poshtë dritareve dhe ballkoneve, me një kitarë, apo mandolinë në dorë, duke i kënduar korçareve aq të bukura, bulevardit të Korçës ku vazjat shëtisin pa lejen e mamasë, dëborës që zbardh malet, kades me verë, dhe dhjetëra motiveve të tjera që frymëzonin jetën e tyre. Kori “Lira”, ky emër kaq i vjetër, përmban në vetvete thesarin e këngëve të qytetit, duke u bërë simbol i vetëm i këngës qytetare. Kori u formua në vitet 1917- 1922, si vazhdimësi e formacioneve orkestrale dhe grupeve të asaj kohe që lulëzonin në Korçën e traditës dhe të kulturës. Dëshmitë tregojnë se faktori kryesor që i dha impuls lindjes së korit “Lira” ishte ardhja e bandës “Vatra” nga Amerika, me drejtuesin e saj zotin Thoma Nasi. Asaj kohe, me impulset e bandës “Vatra”, u formua në Korçë shoqëria e Arteve të Bukura dhe midis degëve të shumta kjo shoqëri krijoi edhe grupin koral. Në përbërëje kishte djelm dhe vajza të reja, të bashkuar mbi baza vullnetare, por me një seriozitet të jashtëzakonshëm pune dhe përqëndrimi. Aktiviteti i korit “Lira” nuk është ndërprerë për asnjë çast. Gjatë gjithë jetës së tij janë të pallogaritshme shfaqjet e shumta që ky grup ka dhënë. Serenatat janë një trashëgimi dashurie dhe mirësie që korçarët e vjetër ua lanë në trashëgim të rinjve. Natyrisht që serenatat nuk mund të futen në muze. Por mbahen gjallë duke u kënduar brez pas brezi, ashtu siç bëri kori “Lira” në historinë e vet mbi 100 vjeçare. Kori “Lira” është një nga grupet me të vjetra ballkanike, i cili ka prodhuar me qindra serenata të cilat ende sot këndohen e pëlqehen aq shumë nga artdashësit korçarë dhe vizitorët.



Grupi “Lira ” është një pasuri e çmuar e trashëgimisë muzikore shqiptare . Me zërat dhe interpretimet e tyre të mrekullueshme, ata sjellin shpirtin e Korçës dhe emocionojne çdo zemër që i dëgjon . Një shembull i shkëlqyer i përkushtimit artistik dhe dashurisë për kulturën tonë.