Ku mund ta gjesh?

Filantropia korçare
Në fushën e mirëbërësisë dhe filantropisë krahina e Korçës zë një vend nderi. Korçarët qenë ndër të parët që filluan të emigronin jashtë trevave shqiptare dhe për rrjedhojë ndër të parët që njohën dhe kuptuan rëndësinë e zhvillimeve që po përjetonte Evropa. Në shumë raste emigrantët korçarë patën mjaft sukses në veprimtarinë sipërmarrëse duke u pasuruar shumë. Në këtë mënyrë ndërthurjen e dy elementeve bazë, pasurisë dhe vlerave, e ndeshim shpesh në radhët e tyre. Sikurse e vërtetojnë edhe dokumentat, tradita e mirëbërësisë ka qenë fuqimisht e pranishme në krahinën e Korçës qysh prej shekullit XVIII ku popullsia e qytetit dhe e rrethinave i jepte në mënyrë të vazhdueshme ndihma institucioneve klerikale për zhvillimin e veprimtarive të tyre si dhe për ndërtimin e një vargu veprash artistike të kultit. Ndër bamirësit korçarë përmenden: Iliaz Bej Mirahori, Anastas Avram Lakçe, Jovan dhe Jorgji Banka, Sotir Naso Poti, Jovan Cico Gjançi, Naum Mborja, Grigor Sotir Mborja, Angjelina Kostari, Kostandin Filipi, Vasil Prifti, Mandi Tërpo, Irakli Duro, Nikolla Kristo, Kristo Kotadi, Thoma Turtulli, Selim Mborja, Dhimitër Mborja e shumë të tjerë. Një nga bamirësit më të njohur prej kësaj krahine është Anastas Avram Lakçe. Ai u tregua shumë aktiv në mbështetjen e shoqatave nacionaliste shqiptare të krijuara në kryeqytetin rumun duke financuar aktivitetet e tyre. Ndër të tjera ai financoi botimin e disa veprave të Naim Frashërit, mes të cilave edhe Bagëti e bujqësi. Lakçe dhuroi mjaft të holla edhe për ngritjen e shkollave shqipe në Korçë dhe për arsimin në përgjithësi në këtë qytet. Një prej filantropëve më të spikatur në Korçë ishte Thoma Trutulli. Përgjatë viteve 1927 deri në 1937 ndërtoi vepra kulturore, arsimore dhe shëndetësore si spitali i parë në Korçë; kinemaja “Majestik” që e ndërtoi sipas modelit të La Scala, ku rinia korcare përjetoi filmat e koncertet e kohës; biblioteka e qytetit nga më të pasurat në Shqipëri me rreth 30 mijë vepra; liceu, një shkollë nga më të mirat e kohës, jetimorja etj.


