Ku mund ta gjesh?

Kuzhina korçare

Zona e Korçës ka gatime të mrekullueshme. Korça e traditës, kulturës, por edhe e gastronomisë është qyteti që di të ruajë me fanatizëm recetat e saj origjinale. Gatime që vetëm korçarët ua dinë lezetin pjatave të tyre. Shijen e vërtetë korçare mund ta takoni në çdo stinë, por sidomos në dimër me traditën e përgatitjes së zahireve, Nëse Korçën e viziton në dimër, do provosh patjetër petkat, dromkat, dy llojet e trahanasë të thartin dhe të ëmblin, që asnjë zonë tjetër e Shqipërisë nuk i bën aq mirë. Tek Pazari i Vjetër do të gjeni që nga çajrat bimore të zonës, e deri tek mëngjeset e traditës. Pas një shëtitje nëpër Pazar, për të admiruar arkitekturën e mrekullueshme, mund të ndaloni për një ëmbëlsirë artizanale tek pastiçeria. Për një drekë të shijshme mund të ndaloni tek restaurantet për një fasule pllaqi në tavë balte, sallatëra e turshi të veçanta e mishra të pjekur. Lakrori me dy petë i pjekur në saç në Korçë, nëse nuk e provon, atëherë nuk e keni marrë aromën e vërtetë korçare. Lakrori me dy peta të holla mund të përgatitet me qepë e domate, me hithra, spinaq si edhe me lakër turshi të bardhë që në Korçë e quajnë arme. Ai piqet në saç, sipas një tradite të moçme shqiptare, për t’i dhënë një shije edhe më të mirë. Kërnackat e Korçës, jo vetëm që janë po aq të vjetra sa dhe vetë qyteti, por janë dhe po aq të njohura sa ai. Të gatuara në zgarë me aromën e tyre, e pamundur t’i rezistosh tundimit që t’i provosh. Të trashëguara brez pas brezi ato mbeten të preferuara nga të gjithë. Petaniku me fasule, ndër gatimet karakteristike të periudhës së dimrit. Amvisat nikoqire korçare e përgatisinin me peta të bëra vetë, kanë pak mundim pasi duhet të lihen të thahen, por një metodë më e shpejt po aq e shijshme është edhe më peta të gatshme. Petët e pjekura marrin aromën e tymit dhe kurse fasulet që i hidhen brenda janë vetëm të ziera dhe kanë shije shumë të mirë kur piqen në tavë, së bashku me petët dhe gjalpin. Fasulet pllaqi janë lloji i fasules kokërrmadhe dhe zona e Korçës njihet për prodhimin e tyre. Tava me fasule pllaqi është një pjatë dimërore plot shije. Një tavë aq e mirë, që kur piqet mbush gjithë lagjen me aromë dafine dhe rigoni. Petulla të fshira, si një gatim tradicional, quhen të fshira se ndryshe nga petullat e zakonshme, këto përgatiten në tigan duke i “fshirë” me shumë pak gjalpë. Shumë të mira për t’u shijuar edhe shqeto, por lezetin e kanë kur shtrohen në tavë një nga një me djathë dhe hudhra dhe piqen në saç. Trishka është një nga recetat e hershme të ëmblësirave korçare. Për shumë vite ka qenë një ndër recetat që përdorej më shpesh në gëzimet familjare. Trishka e ka marrë emrin nga tre përbërësit e saj, miellin gjalpin dhe sheqerin. Pengjiri është një ëmbëlsirë tipike kolonjare, e cila përgatitej për festa familjare si fejesa apo dasma. Si një recetë autentike shqiptare ajo është trashëguar brez pas brezi në të gjitha zonat e Korçës. Pengjir në zonën e Korçës, i thonë sfungjerit, e jo më kot kjo recetë ka marrë këtë emërtim kaq origjinal pasi e thith menjëherë shërbetin.

1 Koment

  1. Ina

    Korça nuk është thjesht një qytet – është një shpirt që flet përmes këngës, fjalës, artit dhe mikpritjes. Trashëgimia shpirtërore korçare është një pasuri që i ka dhënë frymë brezave të tërë, duke ruajtur me krenari identitetin dhe thelbin e kulturës shqiptare.
    Qyteti i serenatave, i letërsisë së kultivuar, i artit skenik dhe i arsimit kombëtar, Korça përçon një elegancë shpirtërore që nuk shuhet kurrë. Kjo trashëgimi jeton në mënyrën si korçari flet, këndon, pret dhe kujdeset për të kaluarën.

    Nga tingujt e qetë të një mandoline në mbrëmjet e verës, te librat e rrallë në bibliotekat e qytetit, nga kisha dhe xhamitë që tregojnë bashkëjetesën, te kujdesi për fjalën e bukur – Korça na mëson se kultura nuk është vetëm kujtim, por një mënyrë jetese.

    Le ta ruajmë dhe ta përcjellim këtë trashëgimi me përulësi dhe dashuri, sepse është një pasuri që i përket të gjithë shqiptarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *