Ku mund ta gjesh?

“Birra Korça”

Kur uji i Moravës u kthye në biznes. Historia nis më 1928. Një sipërmarrës italian e një shqiptar marrin me koncesion për 60 vjet shfrytëzimin e ujit të Moravës për prodhim birre dhe te tjera. Umberto Uberti e Selim Mborja e përfundojnë fabrikën më 1933. Ajo hyn plotësisht në prodhim në verën e 1934-ës. Për 26 vjet me radhë Birra Korça do të operojë e vetme në treg. Në vitin 1928 inxhinieri italian, Umberto Uberti, pasi kishte 10 vite që operonte në tregun e birrës në Itali, mori të drejtën për të bërë këtë gjë edhe në Shqipëri. Koncesioni 60-vjeçar që ai siguroi mban firmat e Pandeli Evangjeli, Mit’hat Frashëri, miratohet në Parlamentin e kohës dhe është nga dekretet e para të firmosura edhe nga Mbreti Zog. Pasi kreu edhe procedurat e tjera, me firmosjen e dokumenteve në prefekturën e Korçës, në tetor të vitit 1929, ai nisi të ndërtojë fabrikën, një punë që mori më shumë se 3 vjet. Fabrika u vendos në rrugën Korçë-Mborje, në një sipërfaqe prej 20 000 metër katrorë, pronë e Selim Mborjes, i cili qe në atë kohë bashkëpronar edhe në biznesin e birrës. Punimet në fabrikë përfunduan në fund të vitit 1933 dhe prodhimet e para të saj u testuan më 18 dhjetor 1933. Por fabrika u fut në punë me kapacitet të plotë në fillim të verës 1934, kur edhe u përurua. “Gazeta e Korçës” e 4 qershorit 1934 shkruante “Për burrat mundësi të reja punësimi. Selim Mborja ngriti fabrikën e birrës. U punësuan 220 veta dhe 25 specialistë italianë: Të hënën, më dt. 4 të këtij muaji, ora 5:30 pas dreke, u bë inaugurimi i fabrikës “Birra Korça” e shoqërisë Uberti-Mborja. Ishte e ftuar një shumicë e madhe me autoritetet në krye. Të ftuarit e shumtë vizituan më parë fabrikën, e cila ishte në punim e sipër dhe admiruan makinerinë e fabrikës. Ishin shtruar pa kursim birra me mezera të zgjedhura. Birra e fabrikës Korça është me të vërtetë prej kualiteti më të mirë se shumë birra të huaja. Ajo është e njëjtë me atë të fabrikave më të dëgjuara gjermane. Uberti dhe Selim Mborja pritën urimet e sinqerta të të gjithëve për mbarëvajtjen e shoqërisë së tyre. Shitja e birrës së Korçës filloi që dje. Çmimi i saj u caktua prej shoqërisë 4 lekë për shishet e mëdha dhe 2 lekë për të voglat”. Tashmë Korça ishte bërë prodhuesja e parë e birrës “Made in Albania”. Në fabrikë prodhohej gjithashtu edhe ujë mineral, 7 ton akull në ditë dhe ishte ngritur edhe magazina frigoriferike për ruajtjen e sendeve ushqimore.

Komente

Ende nuk ka komente. Pse nuk e filloni ju diskutimin?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *