Shkolla 9-vjeçare "Naum Veqilharxhi" si institucion i formimit dhe edukimit u çel për herë të parë si vatër e dijes, shkencës, kulturës, qytetarisë si shkollë e mesme e përgjithshme në vitin 1962. Ajo është e vendosur midis lagjes 4-14, në pozicion juglindje dhe në periferi të qytetit.
Ajo mori vazhdimësinë e emrit "Raqi Qirinxhi", nga ish Liceu Francez dhe si e tillë vazhdoi të mbajë dyert e saj hapur deri në vitin 1967. Viti shkollor 1967-1968 shënon fillimin e kësaj shkolle si Institucion i Arsimit tetëvjeçar, me të njëjtin emër që mban edhe sot, "Naum Veqilharxhi". Për vitet shkollore 1967-1972 mesatarisht kjo shkollë ka patur 1200 nxënës në vit. Numri i mësimdhënësve varionte nga 28-30 për çdo cikël.
Për periudhën 1978-1983 vazhdon po e njëjta gjendje, por me një numër më të madh nxënësish dhe klasash.
Gjatë këtyre viteve shkolla ka fizionominë e profilit sportiv në të cilën u zhvillua specialiteti Basketboll Vajza. Më pas profili ndryshoi drejtim dhe kaloi në specialitetin e "mbretëreshës" së sporteve, Atletikën. Dukuri mbetet arritja e rezultateve, niveli, rekordet e reja në atletikë, kupat dhe diplomat. Për vitet 1993-1998 numri bie ndjeshëm dhe varion mesatarisht 700-800 nxënës dhe 40-50 mësues. Në vitin mësimor 1999 e në vazhdim kjo shkollë kthehet vetëm me Arsim të mesëm të Ulët.
Në vitet shkollore 2012-2016 numri i nxënësve bie ndjeshëm nga njëri vit tek tjetri. Është rikonstruktuar pjesërisht vetëm një herë. Le për të dëshiruar gjendja e saj fizike dhe ideo-funksionale. Ka mjedise të papërshtatshme për zhvillimin e orëve praktiko-laboratorike. Shkolla është 9-vjeçare, vetëm Arsim i Mesëm i Ulët, nga klasa e 6-9, pilotim ky i bërë në vitin shkollor 1999-2000. Në të zhvillojnë procesin mësimor afërsisht 160 nxënës, në 8 klasa, me nga 20 nxënës mesatarisht, për klasë dhe 20 mësues.
Ky blog lindi nga dëshira për të mbajtur gjallë historinë, traditat dhe pasurinë e jashtëzakonshme kulturore që na kanë lënë paraardhësit tanë. Krijimi i një blogu për trashëgiminë kulturore dhe materiale të rajonit të Korçës është i rëndësishëm për disa arsye kryesore:
Shërben për ruajtjen e kujtesës historike – Blogu ndihmon në dokumentimin dhe arkivimin e traditave, zakoneve, artefakteve dhe historive të rajonit të Korçës që të mos humbasin me kalimin e kohës.
Ndërgjegjësimi dhe edukimi – Ai i edukon njerëzit, sidomos nxënësit e shkollave dhe të rinjtë në përgjithësi, për vlerat dhe rëndësinë e trashëgimisë së tyre kulturore dhe materiale, duke i bërë ata më të lidhur me identitetin dhe rrënjët e tyre.
Promovimi ndërkombëtar – Një blog i hapur në internet bën të mundur që kultura dhe trashëgimia e rajonit të Korçës të njihet edhe përtej kufijve, duke tërhequr interesin e studiuesve, turistëve dhe komuniteteve të tjera.
Nxitja e komunitetit – Blogu krijon një hapësirë ku komuniteti mund të kontribuojë me histori, fotografi, përvoja dhe ide, duke forcuar ndjenjën e përkatësisë dhe krenarisë.
Mbrojtja dhe advokimi – Nëpërmjet blogut, mund të ngrihet zëri për mbrojtjen e trashëgimisë së rrezikuar nga ndërtimet, modernizimi i pakontrolluar apo neglizhenca.